Taravari: Albin Kurti është njeriu që i fiton zgjedhjet në Kosovë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur për raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe diplomatit amerikan Richard Grenell. Ai ka theksuar se ndonëse Grenell është një figurë e afërt me ish-presidentin Donald Trump, vullneti i popullit është ai që vendos në zgjedhje.
“Para 7-8 muajsh zoti Grenell ishte në Maqedoni. Unë kisha rastin që ta takojë dhe biseduam afro një orë. Ai ka qëndrimet e veta. Albin Kurtin ne e kemi patur përkrahës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale këtu, kemi raporte të shkëlqyeshme. Dhe tani raportet mes kryeministrit të Kosovës dhe Grenellit, është çështje ndërpersonale mes tyre. Tani Grenelli është në pozicion. Është një autoritet dhe njeri i afërt i Trumpit, por Albin Kurti është njeriu që i fiton zgjedhjet në Kosovë. Vullneti i popullit, si thonë latinët e vjetër: Vox Populi, vox dai. Zëri i popullit zëri i Zotit. Kështu që patjetër ta respektojmë dhe kemi raporte korrekte”, ka theksuar kryetari i ASH-së, Arben Taravari.
Taravari: Makineria propagandistike po tenton të krijojë huti, por faktet flasin ndryshe
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në intervistën e tij në Lajm TV, ka reaguar ndaj fushatave të koordinuara propagandistike, duke theksuar se disa qendra në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi po përpiqen të krijojnë një perceptim të shtrembëruar mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.
“Unë pasi i dëgjova këto lajme spektakolare që po bëhen prej qendrave të caktuara, të cilat gjithnjë e më shumë janë të koordinuara në aksione politike si një makineri e jashtëzakonshme propagandistike, mendoj se kjo është një shkollë e vjetër jugosllave që dalëngadalë po zhduket. Por funksionojnë dhe mundohen të krijojnë njëfarë bindjeje te njerëzit se shqiptarët këtu nuk kanë as flamur, as gjuhë, institucionet zbrazen prej shqiptarëve,” ka deklaruar Taravari.
Ai ka theksuar se pozicionet e shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes nuk janë prekur dhe se përfaqësimi vazhdon si më parë. “Unë bisedova edhe me zëvendësministren edhe me ministrin. Ministri i Mbrojtjes më tha: ‘Arben, të gjitha pozicionet që i ka pasur BDI-ja, përsëri i keni. Bile, nuk kam kundër nëse keni njerëz që i plotësojnë kushtet edhe disa të tjerë t’i avancojmë.’ Domethënë, në Ministrinë e Mbrojtjes, pozicionet që ka pasur BDI-ja janë po ato. Nuk mund t’i ndryshojmë. Disa i plotësojnë kushtet, disa jo. Disa janë më të rinj, disa më të moshuar. Të njëjtat pozicione i ka VLEN-i. Për ato që shkojnë në misione, gjithashtu, përqindja që e ka marrë BDI-ja, e merr VLEN-i,” ka shtuar ai.
Taravari ka kritikuar BDI-në për përdorimin e viteve të fundit të qeverisjes për të krijuar konfuzion tek qytetarët.
“Shpesh BDI-ja, për të krijuar huti te njerëzit, i përdor dy vitet e fundit të qeverisjes. Vitin e fundit të qeverisjes BDI-LSDM, ne kemi qenë pjesë si ASH dhe ishte kaos i paparë. Nuk dihej kush han e kush pinte, funksiononte si një pazar, nuk ishte qeveri ajo. Dhe po, është e vërtetë që BDI-ja e shfrytëzoi atë periudhë. Por gjithnjë, kur e analizoni qeverisjen e BDI-së, mos harroni ta analizoni prej 2002 deri në 2024. Gjithashtu, analizoni edhe periudhën 2006-2016, kur BDI-ja ishte me një VMRO që kishte 57-62 deputetë. Shikoni pozicionet e BDI-së atëherë: më pak ministra, më pak përfaqësim të shqiptarëve në institucione në krahasim me VLEN-in. Edhe tani VMRO ka 58 deputetë dhe ka një pozicion shumë më të fuqishëm se LSDM-ja me 44 deputetë që varej nga 15 deputetët e BDI-së. Ne ishte shumë me rëndësi ta mbajmë kryetarin e Parlamentit,” ka përfunduar Taravari.