Taravari nënshkruan memorandum me Sllovakinë: Epoka e re e telemjekësisë dhe E-shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut

Në një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit shëndetësor, Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Sllovakisë, duke vënë theksin në E-shëndetësinë dhe telemjekësinë – dy fusha kyçe për të ardhmen e shërbimeve shëndetësore.
Në Bratisllavë, ministrat Arben Taravari dhe Kamil Šaško firmosën marrëveshjen që forcon bashkëpunimin dypalësh në inovacionin mjekësor, shkëmbimin e ekspertizës dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetësisë. Ky memorandum synon modernizimin e infrastrukturës digjitale shëndetësore, duke lehtësuar konsultat mjekësore në distancë dhe përmirësuar qasjen e pacientëve në shërbimet mjekësore.
“Ky është një hap i madh drejt një sistemi shëndetësor më të qasshëm dhe efikas. Partneriteti me Sllovakinë do të na ndihmojë të përfitojmë nga përvoja dhe teknologjia e tyre e avancuar në E-shëndetësi dhe telemjekësi,” theksoi ministri Taravari pas ceremonisë së nënshkrimit.
Ky bashkëpunim hap dyert për projekte konkrete që do të sjellin teknologji inovative në shëndetësi, duke përmirësuar kujdesin për pacientët dhe përgatitur profesionistët shëndetësorë për sfidat e epokës digjitale.