Tërheqje masive e produkteve të “Coca-Cola” në Europë për shkak të niveleve të larta të klorateve
Prodhuesi evropian i “Coca-Cola” në Belgjikë njoftoi sot një tërheqje masive të produkteve të tij në Europë për shkak të niveleve të larta të klorateve.
Tërheqja ka të bëjë me shishe qelqi të produkteve Coca-Cola, si Sprite, Fanta, Fuse, Minute Maid, Nal, Royal Bliss dhe Tropico, në Belgjikë, Holandë, Britani, Gjermani, Francë dhe Luksemburg, të cilat janë në qarkullim që nga fundi i Nëntorit.
Këto produkte përmbajnë një kod produkti nga 328 GE deri në 338 GE.
„Nuk kemi numra të saktë, por është e qartë se bëhet fjalë për një shumicë të konsiderueshme“, tha për AFP nga Coca-Cola Europacific Partners Belgium.
Shtohet se shumica e produkteve të përmendura që nuk janë shitur janë tërhequr tashmë nga raftet e dyqaneve dhe vazhdojnë të merren masa për të tërhequr të gjitha produktet e tjera nga tregu. Kompania njoftoi se është në kontakt me autoritetet përkatëse në secilin nga tregjet e prekur.
Kompania, e cila ka kërkuar falje, ka kërkuar që të mos konsumohen produktet e përmendura. Ato mund të kthehen në vendin ku janë shitur për një rimbursim.
„Në vendin tonë të prodhimit në Gand, po kryejmë teste si pjesë e procedurave tona për kontrollin e përputhshmërisë me rregulloren. Këto kontrolle kanë mundësuar identifikimin e niveleve të larta të kloratit“, thanë nga kompania.
Sipas faqes së internetit të Komisionit Evropian, klorati në ushqim vjen nga dezinfektimi me klor, i cili përdoret për trajtimin e ujit dhe përpunimin e ushqimit, dhe uji ka një pjesë dominuese.
Agjencia për Sigurinë Ushqimore e BE-së në një mendim shkencor nga viti 2015 vlerësoi se ekspozimi afatgjatë ndaj kloratit në ushqim mund të paraqesë një problem të mundshëm shëndetësor për fëmijët, veçanërisht ata që kanë një deficitet të lehtë ose të moderuar të jodit.
„Megjithatë, edhe kur merren parasysh nivelet më të larta të vlerësuara, është shumë e pamundur që sasia totale e konsumuar në një ditë të kalojë nivelin e rekomanduar për konsumatorët nga të gjitha grupet e moshave“, përfundon deklarata.