Thaçi jashtë Frontit, por me Ahmetin? BDI siguron se grupi parlamentar është i plotë dhe funksional

Kritika të mëdha dhe thirrje të shumta u bënë ditë më parë në konferencën e përbashkët të Frontit Europian, ku mes tjerash u lëshua kushtrimi për bashkim të të gjitha partive shqiptare për t’ia vendosur linjat e kuqe kryeministrin Hristijan Mickoski, por ajo që ra në sy ishte mungesa e kryetarit të PDSH-së që është pjesë e Frontit. Menduh Thaçi nuk u pa askund aty. Kreu i BDI-së e arsyetoi mungesën.

“Ka pasur angazhime, kam folur edhe para takimit edhe pas takimit, z.Thaçi është në linjë me Frontin Europian, nuk ka asnjë dilemë, por tani për të plotësuar humbjet, dështimet, pjesa qeveritare, kapen pas gjërave terciare”, tha Ali Ahmeti.

Por pas këtij sqarimi të djeshëm të kreut integrist që i prin koalicionit Fronti Europian, zërat se Thaçi e ka lëshuar Frontin, u bënë edhe më të shpeshta.

Pyetëm në PDSH, por na thanë se për momentin nuk do të komentojnë asgjë dhe se ditëve në vijim Thaçi do të flasë publikisht dhe do ta sqarojë gjithë situatën.

Në përpjekje për të mësuar më shumë, gazetarët pyetën edhe deputetin e FE-së, Blerim Bexhetin, që është edhe sekretar organizativ i BDI-së.

“Fronti Europian ka numrin e njëjtë të deputetëve në Kuvend, për çështje të tjera kuptohet duhet të drejtoheni te z.Thaçi ose te z.Ahmeti”, tha Blerim Bexheti

Edhe në një përgjigje zyrtare nga BDI konfirmuan se “grupi parlamentar është funksional dhe funksionon në përbërje të plotë”.

Po sa ka gjasa që Thaçi t’i bashkohet shumicës? Izet Mexhiti nga VLEN thotë se ai s’bën negociata të tilla, ndërsa shton se liderët e Frontit nuk i lidhë ndonjë kauzë e përbashkët.

“Unë personalisht nuk bëj bisedime të tilla. Siç edhe paralajmërova para një muaji, nuk lidhen ideologjikisht ose për ndonjë qëllim më të madh, por si të mbeten në skenën politike, andaj në momentin që nuk janë në Qeveri, nuk kanë kauzë politike për Frontin”, deklaroi Izet NExhiti

E kur u pyet për mundësinë që deputetë të Frontit Europian t’i bashkohen pushtetit, Mexhiti tha se “periudhën në vijim do të ketë më shumë informacione për këtë”.

Përndryshe, në konferencën e Frontit Europian munguan edhe dy kryetar partish që e përbejnë koalicionin, kryetari i PDT-së Bejxhan Ilas dhe Fatima Osmanovska e Unionit të Romëve.

Related Articles

Back to top button