Trump dhe Putin diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe mundësinë e një armëpushimi 30-ditor

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilluan një telefonatë sot për të diskutuar për luftën në Ukrainë. Uashingtoni shpresonte se biseda do ta bindte Moskën të pranonte një armëpushim 30-ditor dhe të shkonte drejt një marrëveshjeje paqeje të përhershme. Shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, tha se biseda kishte shkuar mirë.
Kirill Dmitriev, një i dërguar i Putinit, e cilësoi udhëheqjen e Trump dhe Putin si faktorin që ka bërë botën më të sigurt. Ukraina tashmë ka pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA në konfliktin që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe zhvendosje masive të qytetarëve.
Putin, që pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, tha javën e kaluar se mbështeste propozimin e armëpushimit, por forcat e tij do të vazhdonin luftën derisa të arriheshin disa kushte të rëndësishme. Trump gjithashtu shpreson të arrihet një plan paqeje afatgjatë, i cili mund të përfshijë lëshime territoriale dhe kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para telefonatës se Trump dhe Putin do të flisnin për zgjidhjen e konfliktit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai shtoi se tashmë kishte një mirëkuptim midis dy liderëve, bazuar në bisedat e mëparshme.