X i Elon Musk bllokoi llogaritë e opozitës në Turqi pas protestave

Platforma e mediave sociale X, në pronësi të Elon Musk, ka pezulluar disa llogari të figurave opozitare në Turqi për shkak të protestave masive që shpërthyen pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Pezullimi i llogarive ka prekur aktivistët dhe studentët që ishin të lidhur me demonstratat që zhvilloheshin në mbarë vendin. Shumica e llogarive të bllokuara përdornin platformën për të shpërndarë informacione mbi vendndodhjet e protestave dhe për të organizuar aktivitete studentore.
Musk, i cili e paraqet veten si mbrojtës të lirisë së fjalës, ka thënë se e bleu platformën për të rikthyer lirinë e fjalës, por ky veprim ka ngjallur pyetje mbi gatishmërinë e tij për të mbështetur parimet e lirisë së shprehjes, veçanërisht në një kontekst të pasigurisë politike. Shumica e llogarive të pezulluara ishin profile aktivistësh me disa dhjetëra mijëra ndjekës, të cilët shpërndanin informacion për protestat.
Autoritetet turke njoftuan se kanë gjetur 326 profile në mediat sociale që nxisin urrejtje dhe një aksion i koordinuar ndërmjet autoriteteve të sigurisë dhe ato kibernetike ka çuar në arrestimin e 54 personave të dyshuar. Autoritetet e justifikuan këtë veprim me ligjin turk për mediat sociale të vitit 2022, i cili lejon censurën e përmbajtjeve nëse kërkohet nga qeveria.