Zenku flet në prag të takimit me Rabotniçkin
Shaban Zenku dëshiron që Struga Trim Lum të hyjë në pushimin ndërkombëtar, duke siguruar fitoren e rradhës në një ndeshje tjetër shumë të rëndësishme, siç është ajo e nesërmja kundër Rabotniçkit…
Të shtunën kampionët tanë i japin fund një periudhe të ngarkuar që do t’i ketë parë ata të luajnë 6 ndeshje në një periudhë prej vetëm 20 ditëve, kur në Strugë do të mirëpresin liderin aktual, Rabotniçkin.
Do të jetë kjo ndeshja e parë në shtëpi për Shaban Zenkun dhe shokët e tjerë të skuadrës, pas tre transfertave të njëpasnjëshme, ku arritëm të marrim 7 pikë, falë dy fitoreve dhe barazimit në Tetovë ndaj Shkëndijës.
“Është kënaqësi të rikthehesh të luash në Strugë, para tifozëve tanë besnik” – tha fillimisht Zenku për “Fcstruga.com”
“Është ndeshja e fundit para pushimit ndërkombëtar. Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë me ekipet kombëtare, dhe kutphet të kthehemi shëndetshëm.” – thotë Zenku, i cili së bashku me Bekim Kamberin, do të jenë pjesë e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë për dy miqësoret, që kjo skuadër do ti zhvillojë kundër moshatarëve të Kosovës.
Në prag të ndeshjes së nesërme kundër Rabotniçkit, Zenku u shpreh: “Ne punojmë me seriozitet maksimal për çdo ndeshje dhe të jem i sinqertë nuk dallon aspak puna në bazë të emrit, pozitës apo forcës së kundërshtarit. E vetmja gjë që përshtatet nga ndeshja në ndeshje është analiza konkrete e ekipit që kemi përballë. Normal ne kemi respekt për Rabotniçkin, deri tani është skuadra që ka treguar më së shumti dhe jo rastësisht mbajnë vendin e parë, si dhe janë ekipi i vetëm që në 13 xhirot paraprake nuk ka pësuar asnjë humbje. Megjithë respektin, mendoj se në këtë moment jemi ekip më cilësor se Rabotniçki dhe të shtunën do të dalim në terren për të dhënë maksimumin dhe për ta dëshmuar këtë.”
Ai foli për formën e skuadrës, por edhe atë individuale, duke premtuar se së shpejti të gjithë do shohin Shabanin e vërtetë.
“Luhatje në formë ndodh te çdo skuadër, përfshi edhe ekipe të mëdha evropiane, posaçërisht pas paraqitjeve në Evropë dhe ndryshimeve në formacion. Na duhej pak kohë të marrim veten, lojtarët e ri të komponohen me ata që ishim në ekip dhe të përshtatemi me metodat e punës dhe lojën që kërkon stafi teknik që gjithashtu në verë erdhi në ekip. Tani duket se mozaiku plotësohet dhe rezultatet ngadalë vijnë sipas planeve. Edhe personalisht ndjehem shumë mirë, stafi teknik më beson, marr gjithnjë e më shumë minuta për të luajtur dhe duke parë nevojat e skuadrës shpesh më është dashur të paraqitem në pozita jo natyrale për mua. Por, unë jam gati të ndihmoj skuadrën kudo që stafi teknik ka nevojë, derisa ndjej se së shpejti në pozitën time do të shihni Shabanin e vërtetë me gola e asiste. Por në radhë të parë mbetet të fitojë Struga, pavarësisht kush dhe ku luan.”
Pavarësisht që luajmë me liderin aktual, Struga Trim Lumit i intereson vetëm fitorja që do na hapte rrugë drejt kreut të tabelës së klasifikimit.
“Struga synon tre pikë në çdo duel dhe ndeshja me Rabotniçkin nuk është përjashtim. Neve na intereson të vazhdojmë serinë pozitive dhe sigurisht se kur fitojmë rivalët direkt për kreun, pikët kanë vlerë të dyfishtë sepse zhduken diferencat dhe na hapet rruga për tu ngjitur aty ku mendoj se e kemi vendin, në krye të renditjes.”
Ndeshja Struga Trim Lum – Rabotniçki luhet të shtunën me fillim në ora 13:00.