Zëvendës kryeministri i Parë Mexhiti: Qeveria ndau 20 milionë euro për parkingun te “Sheshi Skënderbe”, do të ndërtohen 371 vendparkingje nëntokësore

Zëvendës kryeministri i Parë Izet Mexhiti në një konferencë për shtyp ka komunikuar informacionin se Qeveria në mbledhjen e sotme ndau 20 milionë euro për parkingun te “Sheshi Skënderbe”, ku do të ndërtohen 371 vendparkingje nëntokësore

“Më lejoni, si Zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kënaqësi të madhe t’ju informoj për vendimin e rëndësishëm që morëm në seancën e sotme të Qeverisë. Qeveria ka vendosur të ndajë 20 milionë euro për financimin e projektit për ndërtimin e një garazhi nëntokësor shumëkatësh pranë Sheshit Skënderbeu në Shkup.
Ky projekt shumëvjeçar parashikon ndërtimin e 371 vendeve të reja për parkim, të shpërndara në dy nivele nëntokësore me një sipërfaqe totale prej më shumë se 13,000 metra katrorë. Gjithashtu, do të sigurohet një numër i përshtatshëm vendesh parkimi për personat me nevoja të veçanta.
Me këtë investim, ne tregojmë përkushtimin tonë për të zgjidhur sfidat infrastrukturore me të cilat përballet kryeqyteti ynë, Çarshia e Vjetër e Shkupit, Komuna e Çairit dhe Qendër, ka thënë Mexhiti.

Ai ka shtuar se ndërtimi i garazhit nëntokësor ka rëndësi të madhe për Çarshinë e Vjetër dhe për Komunën e Çairit. Problemi shumëvjeçar i mungesës së vendeve të parkimit në këtë pjesë të qytetit do të zgjidhet përfundimisht, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut dhe duke mundësuar një qasje më të lehtë për banorët dhe vizitorët.

Mexhiti më tej ka shtuar: “Ky investim do të sjellë përfitime për banorët lokalë.
Duke përmirësuar infrastrukturën, presim një rritje të ndjeshme të potencialit turistik të Çarshisë së Vjetër. Turistët do të kenë një qasje më të mirë në këtë pjesë kulturore-historike të qytetit, gjë që do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe do të krijojë mundësi të reja për bizneset në rajon.
Jam veçanërisht i kënaqur që Qeveria arriti të sigurojë fondet për këtë projekt të rëndësishëm, në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
Kjo është një dëshmi se me përpjekje të përbashkëta dhe një vizion të qartë, mund të arrijmë përmirësime të rëndësishme në jetën e qytetarëve tanë.
Detyra jonë është të vazhdojmë me iniciativa të tilla që do të sjellin përfitime afatgjata për të gjithë shoqërinë. Në periudhën e ardhshme, do të punojmë që projekti të realizohet në një kohë sa më të shkurtër dhe me cilësinë më të lartë. Do të sigurojmë transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e realizimit, me qëllim që të përmbushim besimin dhe pritshmëritë e qytetarëve”.

Mexhiti ka shtuar se kjo Qeveri është e përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. “Si asnjë Qeveri më parë, po sigurojmë fonde për të gjitha komunat dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti.

Bashkangjitur keni edhe videon Linkun:

https://www.youtube.com/live/QTZgajTUJik?si=HDl5GRCdcqn5HQM_

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights