Zëvendëskryeministri Arben Fetai takon drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë, z. Arben Fetai, zhvilloi sot një takim zyrtar në ambientet e SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) me drejtuesin e saj, z. Altin Dumani.
Gjatë takimit, z. Fetai informoi nikoqirin mbi misionin dhe prioritetet e mandatit të tij, me fokus të veçantë në politikat dhe koordinimin e luftës kundër korrupsionit. Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura si bazë për avancimin e qeverisjes së mirë.
Nga ana tjetër, z. Dumani prezantoi historikun dhe strukturën e SPAK-ut, duke ndarë përvojat mbi rrugëtimin e këtij institucioni si dhe sfidat dhe sukseset në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Ai nënvizoi se pavarësia e plotë e SPAK nga politika dhe institucionet ekzekutive, si dhe buxheti i konsoliduar mirë, kanë qenë shtyllat kryesore të suksesit të këtij institucioni. Si rezultat, besimi i qytetarëve ndaj SPAK-ut ka arritur në nivel prej 70%.
Diskutimet u përqendruan edhe në mundësitë e shkëmbimit të përvojave me institucionet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh reformat që po ndërmerren në këtë sektor. Përvojat pozitive të SPAK-ut, i cili gëzon një reputacion të lartë në Shqipëri dhe në rajon, u vlerësuan si shembull i rëndësishëm për t’u ndjekur.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e shtetit të së drejtës në të dyja vendet.