Zv. Kryeministri për Qeverisje të Mirë dhe ambasadori i Shqipërisë bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Sllupçan
Zëvendës Kryeministri për Qeverisje të Mirë, z. Arben Fetai, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Mejdani, realizuan sot një vizitë historike te varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Sllupçan, për të nderuar heronjtë që humbën jetën gjatë luftës së vitit 2001.
Kjo është vizita e parë e një ambasadori shqiptar në këto varreza, që nënkupton një ngjarje me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Maqedonisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin një numër i konsiderueshëm ish-ushtarakësh të UÇK-së, të cilët mirëpritën Zëvendës Kryeministrin dhe Ambasadorin, duke ndarë me ta histori dhe përjetime të luftës së vitit 2001. Ish-ushtarakët ndanë nga afër tregimet për sakrificat e Dëshmorëve të Kombit dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtimit të tyre për brezat e ardhshëm.
Ambasadori Mejdani, i prekur nga tregimet dhe atmosfera, shprehu ndjenjat e tij më të larta të respektit dhe nderimit ndaj dëshmorëve të rënë për lirinë dhe të barazinë e kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe mbajtjes gjallë të vlerave për të cilat dëshmorët dhanë jetën.
Në përfundim të vizitës, Zëvendës Kryeministri Fetai dhe Ambasadori Mejdani vendosën buqeta me lule në varrezat e dëshmorëve në Sllupçan, duke nderuar me përulësi dhe respekt sakrificën e tyre.