113-Vjetori i Pavarësisë, Vlora kthehet nesër `kryeqyteti`i shqiptarisë

Qyteti i Vlorës është mbushur me atmosferën e Festës së Pavarësisë, ku çdo cep i qytetit rrezaton muzikë, gjallëri dhe energji.

 

Vlora, qyteti ku u ngrit flamuri për herë të parë, sot është epiqendra e krenarisë shqiptare.

Ngjyrat e flamurit kuq e zi kanë pushtuar bulevardin “Ismail Qemali” dhe sheshet kryesore, duke e veshur qytetin me simbolet kombëtare.

Me gjallëri, dashuri për traditën dhe respekt për historinë, qyteti i Pavarësisë po dëshmon se kujtesa kombëtare nuk shuhet, por përcillet brez pas brezi, duke e bërë festën një përjetim të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Flamuj të mëdhenj valëviten në ndërtesa, rrugët janë stolisur me dekorime kuq e zi, ndërsa dy flamuj gjigand janë vendosur në godinën shumëkatëshe të qendrës së re multifunksionale, duke i dhënë qytetit një pamje madhështore.

Atmosfera është tepër festive ku valltarë me kostume popullore, këngë folklorike dhe gëzimi i qytetarëve e kanë kthyer Vlorën në një skenë të hapur të festës së Pavarësisë.

Kostumet popullore shumëngjyrëshe, hapat e valleve dhe këngët folklorike u ndërthurën me gëzimin e qytetarëve dhe vizitorëve nga e gjithë Shqipëria, duke krijuar një atmosferë të gjallë përgjatë bulevardit ku të rinj e të moshuar festuan së bashku, dhe Vlora sot u shndërrua në epiqendrën e krenarisë kombëtare.

Me këngë, valle dhe recitime që bashkojnë breza të ndryshëm, Qyteti i Pavarësisë është gati të festojë 113-vjetorin e Pavarësisë.

Sheshi i Flamurit është gati për ceremoninë zyrtare që do të zhvillohet nesër, ku pritet të mblidhen mijëra qytetarë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare.

Atmosfera e festës do të kulmojë me aktivitetin kryesor, ku krahas qytetarëve do të jenë të pranishëm edhe krerët e shtetit dhe përfaqësues të institucioneve më të larta, duke i dhënë ceremonisë një rëndësi të veçantë dhe solemne në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë.

Fieri ndez atmosferën e 28 Nëntorit, spektakël emocionues në nderim të Ismail Qemalit

Festimet për Ditën e Flamurit kanë nisur më herët edhe në qytetin e Fierit, duke sjellë një atmosferë të zjarrtë patriotike dhe kulturore për qytetarët. Sheshi qendror i qytetit u shndërrua në një skenë gjigante ku ngjyrat kuqezi dhe motivet tradicionale dominuan mbrëmjen.

Nën titullin domethënës “Shqipëri o Nëna ime”, spektakli bëri bashkë në një performancë të jashtëzakonshme Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Ansamblin vendas “Myzeqeja”. Të dy trupat artistike dhuruan emocione të forta për publikun e shumtë, duke sjellë përmes valles dhe këngës jehonën e historisë dhe traditës shqiptare.

Festa në Fier nuk është thjesht një celebrim kalendarik, por një akt mirënjohjeje dhe kujtese historike. Ky qytet ka zgjedhur t’i nisë festimet më herët për të evokuar rrugëtimin historik të atit të pavarësisë, Ismail Qemalit.

Ishte pikërisht treva e Myzeqesë ajo që shërbeu si korridor i sigurt për Ismail Qemalin dhe delegatët që e shoqëronin nga të gjitha trevat shqiptare në nëntorin e vitit 1912. Ky rrugëtim, që kulmoi me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor, nderohet çdo vit nga fierakët, të cilët përmes artit dhe kulturës mbajnë gjallë momentet vendimtare të shtetformimit shqiptar.

Tingujt e muzikës popullore dhe vallet e Myzeqesë u gërshetuan me repertorin e pasur kombëtar, duke krijuar një atmosferë festive që paralajmëron ditën e madhe të Pavarësisë.

“Sofra e Pavarësisë”, Shkodra shtron banketin gjigant, Beci: Një mbrëmje e jashtëzakonshme

Qyteti i Shkodrës është veshur kuqezi dhe ka hapur dyert e mikpritjes si rrallëherë më parë. Në prag të 28 Nëntorit, kryeqendra e veriut ka organizuar “Sofrën e Pavarësisë”, një ngjarje që Kryebashkiaku Benet Beci e ka cilësuar si organizimin më të madh të këtij lloji të realizuar ndonjëherë.

Përgjatë gjithë javës, kjo sofër ka shërbyer si një vitrinë promovimi për produktet bio nga të gjitha trevat shqiptare, duke krijuar një mozaik shijesh autentike dhe duke evidentuar vlerat e trashëgimisë kulturore.

Mbrëmja e sotme kulmoi me një darkë solemne ku morën pjesë mbi 200 të ftuar nga mbarë hapësira shqiptare. Mikpritësi i shtëpisë, Kryebashkiaku Benet Beci, kishte në krah dy figura të larta politike: Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Mesazhi i Benet Becit

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci ndau emocionet e kësaj mbrëmjeje të veçantë, duke theksuar përmasat dhe rëndësinë e këtij bashkimi.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme në Shkodër! Sonte shtruam Sofrën e Pavarësisë, sofrën më të madhe të realizuar ndonjëherë, në zemër të Shkodrës. Një traditë e mikpritjes siç na ka hije, që na bashkoi në prag të 28 Nëntorit,” shkruan Beci.

Ai shprehu mirënjohjen për praninë e personaliteteve të larta: “Pata kënaqësinë të jem me dy mike të veçanta të Shkodrës: Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si edhe me mbi 200 të ftuar nga mbarë trevat shqiptare.”

TË NDRYSHME

TË FUNDIT