Një tragjedi ka goditur komunitetin shqiptar në Michigan mbrëmjen e së dielës, pasi një 44-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në ambientet e jashtme të restorantit ku ishte punësuar. Viktima është identifikuar si Francesk Shkambi, banues në Howell, i cili shërbente si menaxher dhe bashkëpronar në restorantin “Prime 7” në Commerce Township.
Sipas mediave amerikane, incidenti ndodhi rreth orës 21:30, kur Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit. Ai u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në komisariat dhe u arrestua pa rezistencë. Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë pistoletë 9 mm, që dyshohet të ketë qenë arma e përdorur në vrasje. Autoritetet thanë se arma rezultonte e raportuar më parë si e vjedhur.
Sipas hetuesve, viktima dhe i dyshuari njiheshin mes tyre dhe kishin pasur një konflikt të vazhdueshëm që kohët e fundit ishte tensionuar ndjeshëm. Megjithatë, motivi i saktë nuk është zbardhur ende. Rasti pritet t’i kalojë prokurorisë për ngritjen e akuzave zyrtare.
Nga ana tjetër, familjarë dhe kolegë të Shkambit kanë shprehur dhimbje të thellë, duke e përshkruar atë si njeri të qetë, punëtor dhe të angazhuar ndaj komunitetit lokal. Restoranti “Prime 7” njoftoi se do të qëndrojë i mbyllur përkohësisht për shkak të ngjarjes së rëndë.

