Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi sot një takim me Forumin e Gruas të VLEN-it në Çairin e Vjetër. Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi se gratë mbajnë mbi supe barrën e përditshme të jetës – kujdesin për familjen, sfidat e komunës, çerdhet, shkollat dhe infrastrukturën – por shpesh mbeten të padukshme në proceset e vendimmarrjes.
“Kur gratë janë të pranishme në tryezën e vendimmarrjes, ndryshon gjithçka: prioritetet, mënyra e të menduarit dhe rezultatet për shoqërinë. Politika nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e tyre”, u shpreh Mexhiti.
Ai shtoi se për të, ky është jo vetëm një parim, por edhe një angazhim për ta bërë Çairin një vend ku gratë jo vetëm dëgjohen, por edhe udhëheqin. Sipas tij, shoqëria do të ecë me hapa të sigurt përpara vetëm kur gratë të kenë hapësirën që meritojnë në politikë, në institucione dhe në çdo fushë ku vendoset për të ardhmen e përbashkët.

