Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, mori pjesë sot në ngjarjen kushtuar Paketës së re për Migrimin dhe Azilin, të organizuar nga Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin e tij, ministri theksoi se kontrabandimi i migrantëve është një nga format me rritjen më të shpejtë të krimit të organizuar në botë – një sfidë serioze sigurie dhe humanitare me të cilën asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm.
Republika e Maqedonisë ka ratifikuar të gjitha instrumentet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë Protokollin e Kombeve të Bashkuara kundër Kontrabandimit të Migrantëve. Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi i qëndrueshëm i standardeve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Në nivel kombëtar, është i rëndësishëm roli i organeve kompetente në zbulimin, ndjekjen dhe gjykimin e këtij lloji të krimit. Është e domosdoshme që kontrabandimi i migrantëve të trajtohet përmes instrumenteve karakteristike për luftën kundër krimit të organizuar. Në këtë kontekst, qasja ‘ndiqni paratë’, e mbështetur nga një bashkëpunim efikas ndërkombëtar, është e një rëndësie parësore, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin në rritje të teknologjive moderne në mënyrën e kryerjes së këtyre veprave penale. Prandaj, hetimet financiare të drejtuara drejt infrastrukturës kriminale paraqesin një segment kyç në luftën kundër këtij fenomeni,” tha Filkov.
Në këtë drejtim, ministri informoi se Ministria e Drejtësisë po punon aktivisht në përgatitjen e ligjeve të reja sistemore, ku në Kodin e ri Penal dhe në versionin e punës të Ligjit për Procedurën Penale janë inkorporuar standardet më të reja ndërkombëtare, veçanërisht në pjesën e hetimeve financiare, të drejtave procedurale dhe mbrojtjes së viktimave.
Ai vuri në dukje edhe vëllimin e shtuar të ndihmës juridike ndërkombëtare në vitet e fundit, ku në vitin 2024 janë regjistruar 46 lëndë për veprën penale “Kontrabandim i migrantëve”, ndërsa në vitin 2025 – 56 lëndë, më së shumti me shtetet evropiane, gjë që konfirmon bashkëpunimin intensiv ndërkombëtar në këtë fushë.


