SHKUP – Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Slobodan Trendafilov, ka lëshuar akuza të rënda drejt Qeverisë, duke kritikuar hendekun e madh mes pagave të zyrtarëve dhe punëtorëve të thjeshtë. Përmes një reagimi pas takimeve të fundit, ai theksoi se pakënaqësia e punëtorëve ka arritur pikën kritike.
Akuzat për shantazh: Qeveria kërkon shfuqizimin e K-15 dhe rritjes së pagave
Trendafilov zbuloi se përfaqësuesit e Qeverisë jo vetëm që nuk u paraqitën në LSM për të nënshkruar marrëveshjen për rritjen e pagës minimale, por po ushtrojnë presion për të shfuqizuar të drejtat ekzistuese. Sipas tij, po kërkohet:
-
Shfuqizimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik.
-
Anulimi i rritjes së pagave në sektorin publik.
-
Heqja e të drejtës për K-15 dhe shpërblimet jubilare për arsimin, shëndetësinë, policinë dhe ushtrinë.
“Tre monedha marrin, njërën e japin”
Kreu i LSM-së kritikoi ashpër qasjen e pushtetit, duke thënë se Qeveria po vepron në kundërshtim me premtimet që bënte kur ishte në opozitë.
“Të marrësh tre monedha nga punëtorët dhe t’u japësh vetëm një, është e kotë. Qeveria duhet t’i përmbahet këshillave dhe premtimeve që i jepte vetë dy-tre vite më parë,” deklaroi Trendafilov, duke paralajmëruar faza të reja të shprehjes së pakënaqësisë sindikale.
Kërkesa kryesore: Rritje 40% e pagave
Sindikata kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive që do të mundësonin rritjen e të gjitha pagave për 40%, duke argumentuar se rritja e kostos së jetesës e bën të pamundur mbijetesën me pagat aktuale, ndërkohë që funksionarët gëzojnë rritje të larta.


