Pas protestës së punëtorëve të mbajtur më 28 janar, sot u zhvillua takimi ndërmjet përfaqësuesve të Sindikatës së SPOGJ dhe Qeverisë së RMV-së, ku u arrit marrëveshje për pranimin e kërkesave sindikale.
Në këtë takim, Qeveria pranoi kërkesën e Sindikatës së SPOGJ për sigurimin e shtesave mbi pagë përmes lidhjes së kontratave kolektive individuale në sektorin e administratës dhe gjyqësorit. Sipas marrëveshjes, rritja e pagave për këta punonjës do të jetë më e lartë se rritja e paraparë me Kontratën Kolektive të Përgjithshme për sektorin publik, si një e drejtë më e favorshme për punëtorët.
Gjithashtu, u bë e ditur se paga minimale mbetet komponentë e llogaritjes së pagave, ndërsa lufta për rritjen e saj do të vazhdojë deri në arritjen e synimit që do të reflektohet në rritjen e pagave për të gjithë punëtorët që e kanë këtë komponentë në llogaritjen e tyre. Sa u përket njësive të vetëqeverisjes lokale, pagat mund të rriten përmes nënshkrimit të kontratave kolektive individuale.
Sindikata e SPOGJ ka thirrur mbledhje të organeve dhe trupave të saj në orën 15:30 për të informuar anëtarësinë mbi detajet e marrëveshjes dhe hapat e mëtutjeshëm.


