Kurti konfirmon: Në këtë mandat nis ndërtimi i hekurudhës Gjakovë–Shkodër

PRISHTINË, 13/02/2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar programin qeverisës për mandatin e ri, ku projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën me Shqipërinë zënë një vend qendror. Kurti njoftoi se brenda këtij katërvjeçari do të nisë puna në terren për linjën hekurudhore Gjakovë–Shkodër, e cila është pjesë e korridorit më të gjerë Prishtinë–Durrës.

 

Ky projekt konsiderohet si një nga investimet më strategjike për integrimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë mes dy vendeve.

Detajet teknike dhe kostoja e projektit:

  • Gjatësia dhe stacionet: Linja do të jetë 105.8 km e gjatë dhe do të ketë gjithsej 7 stacione.

  • Veprat e artit: Për shkak të terrenit malor, projekti parashikon ndërtimin e 43 urave dhe 14 tuneleve. Gjatësia totale e tuneleve arrin në 35.3 km.

  • Kostoja totale: Sipas studimit të fizibilitetit, projekti kap vlerën e 1.8 miliardë eurove (1.7 mld euro për ndërtim dhe 100 mln euro për shpronësime e leje).

  • Financimi: Pritet një kombinim i fondeve nga donatorët ndërkombëtarë dhe kontributeve direkte nga buxhetet e Shqipërisë dhe Kosovës.

Afatet kohore: Hekurudha Shqiptare ka bërë të ditur se ndërtimi pritet të nisë brenda 2 deri në 3 viteve të ardhshme, pas përfundimit të prokurimit ndërkombëtar. I gjithë procesi, nga projektimi deri në operimin e plotë, parashikohet të zgjasë rreth 12 vite.

Përveç kësaj linje, Kurti njoftoi edhe projektimin e linjave të reja brenda Kosovës që do të lidhin Prizrenin dhe Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanocin, duke synuar një rrjetizim të plotë hekurudhor në rajon.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT