BOGOVINË – Komuna e Bogovinës ka zyrtarizuar sot nisjen e projektit për ndërtimin e hapësirave të reja në Shkollën Fillore “Sami Frashëri” në Pirok, përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje trepalëshe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe udhëheqësinë e shkollës.
Ky projekt investiv synon zgjerimin e kapaciteteve fizike të institucionit për të mundësuar kalimin në procesin e mësimit tërëditor. Sipas njoftimit zyrtar, objektet e reja do të ofrojnë kushte moderne dhe funksionale, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve të mësimdhënies dhe përmirësimin e cilësisë arsimore për nxënësit dhe stafin.
Financimi i këtij projekti sigurohet nga Banka Botërore në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ky investim vlerësohet si një hap kyç në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në nivel lokal, duke krijuar mjedise bashkëkohore që i përgjigjen kërkesave të reformave të reja në arsimin fillor.
Në ceremoninë e nënshkrimit u theksua se ky bashkëpunim institucional dëshmon përkushtimin për krijimin e kushteve optimale për brezat e rinj, duke e radhitur shkollën e Pirokut ndër institucionet me infrastrukturën më të avancuar në rajon.


