Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, gjatë ministerialit të Korridorit VIII të mbajtur në Tiranë, deklaroi se Italia do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Ai theksoi se Shqipëria është vend europian dhe se Korridori VIII nuk është thjesht një zgjedhje teknike, por një prioritet politik dhe strategjik për qeverinë italiane. Tajani paralajmëroi se më 30 mars do të mbahet një takim i “Grupit të miqve të Ballkanit” për të afirmuar mbështetjen për integrimin e rajonit.
“Deklarata e përbashkët që do të miratojmë do të përçojë një mesazh të fuqishëm. Korridori VIII është prioritet i përbashkët strategjik për ekonomitë tona. Jemi të angazhuar të hedhim hapa konkrete për realizimin e tij, sepse është kyç për tregtinë dhe sigurinë europiane,” u shpreh Tajani.
Ai shtoi se përfundimi i Korridorit VIII është objektiv sigurie dhe një instrument për forcimin e shtyllës europiane të NATO-s, duke e cilësuar potencialin ekonomik mes Adriatikut dhe Ballkanit si “të jashtëzakonshëm”.


