Situata rrugore në juglindje të vendit është kthyer në një makth të vërtetë për drejtuesit e mjeteve. Prej tri ditësh, akset kryesore janë të bllokuara, duke detyruar qytetarët të ndjekin rrugë alternative që ngjasojnë më shumë me “shtigje” sesa me infrastrukturë moderne.
Kaosi në aksin Maliq–Gramsh
Në daljen e Maliqit, Policia Rrugore ka vendosur postbllokun, duke ndaluar rreptësisht kalimin e autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë. Rruga Maliq–Lozhan–Mogolicë–Gramsh është e vetmja “shpresë” për mjetet e vogla dhe furgonët, por infrastruktura e saj e mjerueshme nuk mban peshën e transportit normal, duke u kthyer në një rrezik serioz për jetën e udhëtarëve.
Odiseja e udhëtimit: Korçë–Tiranë përmes fqinjëve!
Absurdi arrin kulmin kur shoferët detyrohen të bëjnë “xhiro” nëpër gjysmën e Ballkanit për të mbërritur në kryeqytet:
-
Varianti “Turistik”: Disa përdorin itinerarin e gjatë e të lodhshëm Korçë–Ersekë–Përmet–Tepelenë.
-
Varianti jashtë kufijve: Të tjerë detyrohen të dalin nga Qafë Thana, të kalojnë në Strugë e Dibër të Madhe, për t’u rikthyer në Shqipëri përmes Rrugës së Arbrit.
Kosto marramendëse dhe dështim total
Ky bllokim treditor nuk është vetëm humbje kohe, por një goditje e rëndë ekonomike. Kostot e karburantit janë rritur ndjeshëm, ndërsa transporti i mallrave është paralizuar plotësisht. Qytetarët janë të revoltuar, pasi mungesa e zgjidhjeve të shpejta i ka lënë ata të izoluar dhe nën koston e lartë të devijimeve që duken se nuk kanë fund.


