Ai theksoi se studentët nuk kanë nevojë për “lot krokodili” dhe deklarata boshe, por për guxim dhe vendime të forta nga institucionet. Sipas tij, kauza e tyre është e drejtë dhe kërkon zgjidhje reale, jo retorikë politike.
Shkrimi i plotë:
Disa fjalë rreth protestës së studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës, dhe jo vetëm.
E para, në betejën e tyre të drejtë sot, ata nuk kanë nevojë për lot krokodili e fjalë të kota, po për guxim institucional e veprime të forta.
E dyta, besoj ata do të tregohen mjaft të pjekur për të dalluar kauzën e drejtë rinore, prej interesave hipokrite ditore. Dhe faktin se suksesi nuk matet me zërat e zhurmshëm që rrugës prodhohen, po me rezultatin në fund se si gjërat rregullohen.
E treta, e sotmja ka një të djeshme të qartë të përgjegjësisë, pavarësisht përpjekjeve për ta mbuluar atë sikur diellin me shoshë, dhe e ka edhe një të nesërme të pashmangshme, ku do të matet çdo lëvizje e keqe dhe veprim i shëndoshë. Hipokrizia nuk paraqet vlerë, ajo në thelb është mashtrim; sinqeriteti në fjalë e korrektësia në punë, gjithmonë duhet të mbesin parim.
E katërta, PO, e mbështes protestën e ditës së hënë dhe në mundsha do të jem i pranishëm aty edhe me trup. Për një arsye të vetme: Studentët e meritojnë mbështetjen dhe përkrahjen tonë, pa hiç interes të ditës, pa asnjë gram dyfytyrësi, me plot dashamirësi e shumë përgjegjësi. Po, edhe për shkakun e përvojës personale. Ngase në lëkurën time e kam ndier padrejtësinë e zullumin, madje në përmasa shumë më të mëdha se kjo sot, si student i Universitetit të Prishtinës në fund të viteve të tetëdhjeta dhe fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Kontrollet e rrepta nëpër punktet policore, helmimet e nxënësve shqiptarë në bankat shkollore, demonstratat e përgjakshme studentore, largimin prej procesit arsimor nga politika fashiste serbomadhe shtetërore…
E pesta, dhe e fundit, por që duhet të jetë prioriteti ynë i parë: Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe duhet të zgjidhet një ditë e më shpejt, sikur edhe shumë probleme tjera të kësaj natyre e të këtij lloji. Dhe kjo do të bëhet realitet gjatë kohës së VLEN-it në qeveri, padyshim. E kur kjo të ndodhë, shumë zëra do të heshten, plot fytyra do të turpërohen… me rëndësi, studentët tanë dhe ata që punojnë ndershëm e me sinqeritet të gëzohen!


