LONDËR – Një skandal i përmasave të mëdha ka tronditur industrinë televizive në Britaninë e Madhe. Tri gra që kanë marrë pjesë në reality show-n e famshëm “Married at First Sight UK”, të transmetuar nga Channel 4, kanë ngritur akuza të rënda, duke pretenduar se janë përdhunuar ose abuzuar seksualisht gjatë periudhës së xhirimeve.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga rrjeti BBC, dy nga ish-konkurrentet kanë denoncuar raste të përdhunimit, ndërsa një e treta ka dëshmuar se ndaj saj janë kryer akte seksuale pa pëlqimin e saj nga partnerët që produksioni u kishte caktuar në emision.
Kërcënime me sulm me acid
Dëshmitë e grave zbulojnë detaje tronditëse mbi presionin psikologjik dhe rrezikun e jetës me të cilin janë përballur. Njëra nga denoncueset ka rrëfyer se partneri i saj në emision e kishte kërcënuar egërsisht për të siguruar heshtjen e saj:
“Më tha se nëse i tregoja dikujt për atë që kishte ndodhur, do të paguante dikë që të më hidhte acid në fytyrë”, ka deklaruar ajo për mediat britanike.
Përveç traumës së përjetuar, viktimat kanë shpërthyer në akuza edhe ndaj televizionit Channel 4. Ato pretendojnë se menaxhmenti i televizionit ishte vënë në dijeni për këto ngjarje të rënda, por nuk mori masat e nevojshme për t’u ofruar mbrojtje apo mbështetje, duke zgjedhur të vijojë transmetimin e rregullt të programit.
Reagimi i autoriteteve dhe pezullimi i emisionit
Pas presionit të madh dhe reagimeve të ashpra në opinionin publik, Channel 4 bëri të ditur se ka ndërmarrë një hap drastik, duke fshirë dhe hequr të gjitha episodet e “Married at First Sight UK” nga platformat streaming, transmetimet lineare si dhe nga rrjetet sociale zyrtare. Megjithatë, më herët, televizioni i kishte cilësuar këto pretendime si “të pabazuara”.
Rasti ka vënë në lëvizje edhe institucionet shtetërore në Londër:
-
Ministria e Kulturës: I ka cilësuar akuzat “jashtëzakonisht serioze”, duke nënvizuar se askush nuk duhet të cenojë dinjitetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve në formate televizive.
-
Ofcom (Autoriteti Rregullator i Medias): Ka konfirmuar nisjen e një vlerësimi të gjerë mbi protokollet e sigurisë dhe kujdesit që produksioni ka aplikuar ndaj konkurrentëve.
“Married at First Sight” është një nga formatet më të shitura dhe më të suksesshme globalisht, ku personat e panjohur pranojnë të martohen ligjërisht që në takimin e parë. Versioni britanik numëron plot 10 sezone dhe konsiderohej si një nga “shtyllat” e audiencës për Channel 4, me mbi 3 milionë shikues për episod.


