Kasami: Autostrada Shkup-Bllacë po bëhet, merr fund epoka e demagogjisë shterpe

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se kanë përfunduar të gjitha procedurat burokratike, duke i hapur rrugë zyrtarisht fillimit të punimeve për autostradën Shkup-Bllacë.

 

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përmes një reagimi ka bërë të ditur një zhvillim të rëndësishëm sa i përket infrastrukturës rrugore që lidh Shkupin me Prishtinën. Sipas tij, tashmë janë eliminuar të gjitha pengesat administrative dhe rruga drejt realizimit të autostradës Shkup-Bllacë është plotësisht e hapur.

Kasami ka theksuar se me këtë projekt, dy kryeqendrat shqiptare po afrohen si kurrë më parë, duke shënuar kështu fundin e premtimeve të mbetura vetëm në letër.

“Autostrada Shkup – Bllacë po bëhet! Përfunduan të gjitha procedurat burokratike dhe u hap rruga për fillimin e punimeve në autostradën Shkup – Bllacë. Shkupi me Prishtinën sot janë më afër se kurrë”, ka deklaruar Kasami.

Në mesazhin e tij, ai ka shtuar se vendi po kalon në një fazë të re të fokusuar te rezultatet konkrete dhe investimet strategjike.

“Koha e demagogjisë shterpe ka mbaruar. Shqiptarët po jetojnë epokën e punës, projekteve dhe zhvillimit. Ta gëzojmë!”, përfundoi kryetari i Tetovës.

Ky projekt konsiderohet jetik për rritjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtare dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT