Në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Universitetin e Tetovës u organizua Panairi Amerikan

Në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Universitetin e Tetovës u organizua Panairi Amerikan

 

Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Këndin Amerikan në Tetovë, me 20.6.2026 në parkun e universitetit e organizuan Panairin Amerikan (American State Fair), një ngjarje e veçantë kulturore dhe edukative e realizuar në kuadër të festimeve Freedom 250, që shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Panairi mblodhi një numër të madh qytetarësh, studentësh, nxënësish, fëmijësh dhe familjesh, të cilat patën mundësinë të përjetonin nga afër traditën e panaireve amerikane përmes një programi të pasur me aktivitete edukative, kulturore dhe argëtuese.

Në ceremoninë e hapjes, të pranishmëve fillimisht iu drejtua me një fjalë rasti Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili vlerësoi rëndësinë e partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Ambasadës së SHBA-së, duke theksuar se kjo ngjarje është një dëshmi e bashkëpunimit të frytshëm në fushën e arsimit, kulturës dhe shkëmbimeve akademike.

“Për Universitetin e Tetovës është privilegj që të jetë mikpritës i këtij organizimi, i cili sjell pranë qytetarëve tanë një pjesë të traditës dhe kulturës amerikane përmes aktiviteteve edukative, teknologjike, artistike dhe argëtuese. Universiteti ynë gëzon bashkëpunim të shkëlqyer me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me institucionet e saj partnere. Përmes programeve akademike, shkëmbimeve studentore, aktiviteteve kulturore dhe projekteve të përbashkëta, kemi ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm që u ka krijuar mundësi të reja studentëve dhe stafit tonë akademik. Ky partneritet është pjesë e një miqësie shumë më të gjerë ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit amerikan. Shqiptarët gjithmonë kanë gjetur te Shtetet e Bashkuara një mik të sinqertë dhe një mbështetës të palëkundur të lirisë, demokracisë, arsimit dhe zhvillimit.Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, Universiteti i Tetovës gjatë viteve ka nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” personalitete të shquara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e arsimit, shkencës dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ndër ta veçojmë Prof. Dr. Lisa Freeman, rektore e Universitetit Northern Illinois, e cila është vlerësuar për kontributin e saj në zhvillimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtar, si dhe ish-kongresistin amerikan Joseph J. DioGuardi dhe aktivisten e njohur Shirley Cloyes DioGuardi, të cilët për dekada kanë qenë zë i fuqishëm në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve dhe në forcimin e miqësisë ndërmjet popullit amerikan dhe atij shqiptar. Këto nderime nuk janë vetëm shprehje mirënjohjeje, por edhe dëshmi e lidhjeve të forta që Universiteti i Tetovës ka ndërtuar me partnerët dhe miqtë e tij në Shtetet e Bashkuara” – tha Rektori i Universitetit te Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Më pas, të pranishmit i përshëndeti Ambasadorja në detyrë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H.E. Mrs. Nicole Varnes, e cila theksoi se për 250 vjet, amerikanët kanë punuar me përkushtim për të ndërtuar një komb të themeluar mbi idealet e lirisë, mundësive, pjesëmarrjes qytetare dhe bindjes se çdo brez ka një rol të rëndësishëm në formësimin e së ardhmes. Sipas saj, një nga mënyrat se si amerikanët e festojnë frymën e komunitetit është përmes panaireve shtetërore. “Sot, po e sjellim të njëjtën frymë edhe në Tetovë. Teksa vizitoni panairin, shpresoj që të eksploroni aktivitetet e shumta që ofrohen, nga shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika (STEM) dhe inovacioni, te sipërmarrja dhe industritë kreative, sporti, mirëqenia, arti, si dhe, sigurisht, ushqimi dhe muzika amerikane. Mbi të gjitha, shpresoj që kjo ditë të frymëzojë lidhje të reja dhe ide të reja. Miqësia ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut është ndërtuar mbi marrëdhëniet mes njerëzve, dhe duke parë të pranishmit sot, shoh shumë liderë të së ardhmes pikërisht këtu” – tha mes tjerash Ambasadorja në detyrë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H.E. Mrs. Nicole Varnes.

 

TË NDRYSHME

TË FUNDIT