Bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë mes partnerëve të koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, pritet të përmbyllen deri në fundjavë.
Sipas informacioneve që ka siguruar ZYRTARE.net nga burime të përfshira në negociata, VLEN ka arritur të sigurojë dy nga dikasteret që i ka kërkuar gjatë bisedimeve, ministri që deri më tani janë udhëhequr nga dy kuadro “problematik” Igor Filkov dhe Ivan Stoilkoviç.
Burimet bëjnë të ditur se në takimin e fundit mes krerëve të VLEN-it dhe kryeministrit Mickoski është arritur pajtueshmëri që Ministria e Drejtësisë, e drejtuar aktualisht nga Igor Filkov, t’i kalojë VLEN-it në kuadër të rikonstruimit. Po ashtu, pjesë e marrëveshjes është edhe Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila aktualisht udhëhiqet nga Ivan Stoilkoviç.
Sipas të njëjtave burime, VLEN do të udhëheq me Ministrinë e Kulturës dhe Turizimit si dhe ministrinë e Sportit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës, Politikës Sociale dhe Demografisë pritet t’i kalojnë VMRO-DPMNE-së.
Nga ky rikonstruim VLEN pritet të dal me një resor ministror më shumë sesa ka pasur pasi nuk do të ketë pozicionin e zëvëndëskryeminstirit për qeverisje të mirë, që deri dje e ka mbajtur Arben Fetai.
Nga VMRO-DPMNE mësohet se nuk priten lëvizje të shumta në kabinetin qeveritar, me përjashtim të disa ndryshimeve të caktuara, ku përflitet pozicioni i ministrit aktual të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Me këtë rikonstruim, pjesë e shumicës qeveritare pritet të bëhet edhe Partia Demokratike e Turqve e deputetit Bejxhan Iljas, e cila deri më tani ishte pjesë e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI.
Sipas burimeve, negociatat për ndarjen e dikastereve duhet të përfundojnë deri të premten, ndërsa gjatë fundjavës partnerët qeveritarë pritet të finalizojnë listën e emrave të ministrave të rinj, të cilët më pas do të procedohen për votim në Kuvend./ZYRTARE.net/


