SKANDAL NË GRUPMOSHAT E FUTBOLLIT: SISTEM I DËSHTUAR, HESHTJE DHE HUMBJE QË PO POSHTËROJNË TË ARDHMEN

Nga Urim Saliu -Tetovasot

 

Rezultatet katastrofale të grupmoshave nuk janë më as rastësi dhe as “ditë të këqija”. Ato janë pasojë e një sistemi të kalbur, të çorganizuar dhe pa përgjegjësi, që po e rrënon me shpejtësi të ardhmen e futbollit. Humbjet e thella dhe poshtëruese, si ajo e reprezentacionit U15 të Maqedonisë ndaj Shqipërisë 4:1 dhe humbja e sotme 2:0, janë vetëm pasqyrë e një krize shumë më të thellë.

Më e rëndë se rezultati është normalizimi i dështimit dhe heshtja që vjen pas tij. Kur humbjet përsëriten dhe askush nuk reagon, atëherë problemi nuk është në një ndeshje , por në gjithë strukturën.

Në çdo federatë serioze futbolli, kur grupmoshat pësojnë vazhdimisht disfata të tilla, përgjegjësia nuk shmanget. Ka analiza, ka masa dhe ka dorëheqje. Në rastin tonë, duket se përgjegjësia është zhdukur plotësisht nga sistemi. Dorëheqja e stafit përgjegjës nuk do të ishte dramë por do të ishte akt minimal dinjiteti profesional.

Presidenti z. Masar Omeragiq dhe drejtori sportiv nese nuk gaboj z. Hristov nuk mund të sillen sikur kjo nuk po ndodh. Nuk mund të ketë normalizim të një sistemi ku talentet shihen, por nuk ftohen; ku lojtarë të spikatur në klube mbeten jashtë për arsye të pashpjeguara dhe ku përzgjedhja duket më shumë subjektive sesa sportive.

Ky nuk është problem i një gjenerate. Ky është dështim zinxhiror i gjithë strukturës së grupmoshave. Kur U15, U17 dhe kategoritë tjera prodhojnë të njëjtin rezultat, atëherë nuk flasim për rastësi , flasim për kolaps të modelit.

Pyetja është e thjeshtë dhe e rëndë: se kush po e bën përzgjedhjen dhe mbi çfarë kriteresh? Dhe më e rëndësishmja kush mban përgjegjësi kur rezultatet tregojnë dështim të qartë?

Futbolli nuk është dekor, nuk është statistikë dhe nuk është propagandë. Ai është përgjegjësi dhe garë. Përfaqësimi i shtetit nuk mund të ndërtohet mbi improvizim, lidhje apo heshtje përballë dështimit.

Nëse grupmoshat nuk po përgatisin lojtarë për nivel të lartë garimi, atëherë kemi një problem sistemik që kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe radikale.

Ka ardhur momenti që ky model të mos justifikohet më, të mos mbrohet dhe të mos fshihet pas rezultateve të mëparshme. Duhet të rrëzohet dhe të rindërtohet nga themeli. Sepse çdo vit i humbur me këtë logjikë është një brez i humbur dhe një e ardhme e shkatërruar e futbollit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT