Rënie drastike e naftës në bursat botërore, Ballkani mbetet „kokëfortë“ në çmime!

Ndërsa çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie të ndjeshme, duke zbritur në nivelet më të ulëta që nga muaji shkurt, qytetarët në Ballkan po vazhdojnë të përballen me një realitet krejtësisht të ndryshëm, ku karburantet po refuzojnë të ulen me të njëjtin ritëm.

 

Bota: Nafta bie nën 68 dollarë

Tregjet globale të energjisë po kalojnë një periudhë pasigurie dhe rënieje. Nafta e papërpunuar (Crude Oil) ka rënë nën nivelin e 68 dollarëve për fuçi, duke reflektuar një rënie prej rreth 1.5% vetëm në 24 orët e fundit dhe një tendencë të qartë negative në raport me muajt e kaluar.

Shkak për këtë rënie drastike të çmimeve në bursa është bërë:

  • Rikthimi i furnizimeve: Dërgesat e naftës përmes ngushticës strategjike të Hormuzit kanë tejkaluar 10 milionë fuçi në ditë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.

  • Shtimi i eksporteve iraniane: Pas heqjes së bllokadës detare amerikane, eksportet e naftës iraniane janë rritur me mbi 40 milionë fuçi.

  • Rekordet ruse: Transportet e mëdha ruse kanë krijuar një mbiprodhim dhe mbushje të inventarëve detarë, duke ushtruar presion shtesë për uljen e çmimit.

Ballkani: Çmimet ulen me „zor“

Përkundër faktit se nafta dhe Brent-i kanë shënuar rënie prej mbi 27-29% në krahasim me muajin e kaluar, konsumatorët në vendet e Ballkanit nuk po e ndiejnë këtë “frymëmarrje” në pikat e shitjes së karburanteve.

Ndërkohë që bursat ndërkombëtare pasqyrojnë një treg me furnizime të bollshme dhe ulje çmimesh, në Ballkan ndryshimi në pompa mbetet minimal ose inekzistent. Kjo diferencë mes çmimeve të bursës dhe çmimit përfundimtar në pikat e shitjes po krijon pakënaqësi tek qytetarët, të cilët paguajnë çmime të cilat nuk reflektojnë realitetin e ri të tregut global.

Sytë e tregtarëve dhe qytetarëve mbeten tani te zhvillimet e bisedimeve për paqe mes ShBA-së dhe Iranit, të cilat po ndiqen me vëmendje pasi çdo lehtësim i tensioneve gjeopolitike pritet të ndikojë edhe më tej në stabilizimin e çmimeve të energjisë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT