Panairi i Librit “Presheva 2026”, i organizuar nën moton “Libri dhe Tradita”, do të mirëpresë një nga emrat e njohur të letërsisë , autorin Pashko R. Camaj, i cili do të prezantojë romanin e tij më të ri, “Brenga”.
Promovimi do të zhvillohet më 9 korrik, në orën 14:00, në Hollin e Shtëpisë së Kulturës, me pjesëmarrjen e lexuesve, studiuesve dhe dashamirësve të librit.
Romani është botuar nga shtëpia botuese Onufri, ndërsa promovimi do të moderohet nga Liridon Mulaj dhe Bujar Hudhri, dy emra të njohur të jetës letrare dhe kulturore shqiptare.
Pjesëmarrja e Pashko R. Camajt në Panairin e Librit në Preshevë përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për autorin, por edhe për këtë aktivitet kulturor, i cili prej vitesh është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm të shkrimtarëve, botuesve dhe lexuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Romani “Brenga”, i cili është pritur me interes nga publiku dhe kritika, trajton tema të identitetit, kujtesës, fatit njerëzor dhe përballjes me sfidat e jetës, duke sjellë një rrëfim me ndjeshmëri të thellë artistike.
Në prag të këtij takimi me lexuesit e Preshevës, autori ka shprehur emocionet dhe vlerësimin e tij për pjesëmarrjen në këtë ngjarje:
“Është një nder i veçantë për mua të jem pjesë e Panairit të Librit në Preshevë. Me kënaqësi pres vizitën time të parë në këtë trevë shqiptare, ku romani im ‘Brenga’ do të prezantohet në kuadër të këtij panairi tashmë tradicional të librit. Besoj se libri është ura më e fortë që na bashkon si komb, përtej kufijve. Do të jetë kënaqësi të takohem me lexuesit e Preshevës dhe të ndaj me ta mendime rreth letërsisë dhe romanit tim. Mirupafshim në Preshevë!”
Ky promovim pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të edicionit të sivjetshëm të Panairit të Librit në Preshevë, duke u ofruar lexuesve mundësinë të njihen nga afër me autorin, të bisedojnë mbi romanin “Brenga”, si edhe të marrin autograf në librat e tyre.
Panairi i Librit “Presheva 2026” vazhdon të dëshmojë rolin e tij si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e librit shqip, dialogut kulturor dhe ruajtjen e traditës letrare, duke afruar krijues e lexues në një atmosferë të përbashkët kulturore. Në këtë frymë, prania e autorit Pashko R. Camaj dhe promovimi i romanit “Brenga” përbëjnë një vlerë të shtuar për programin e këtij panairi.


