Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka raportuar sot para Komisionit për Nismat Qytetare lidhur me rezultatet e institucionit gjatë vitit 2025. Përballë pyetjeve të deputetëve të opozitës lidhur me çështje të bujshme, Braho ka garantuar se askush nuk gëzon imunitet përballë ligjit.
Pikat kryesore të raportimit:
-
Çështja “Albanian Files” dhe Inceneratorët: Në lidhje me librin “Albanian Files” dhe akuzat për inceneratorët, Braho u shpreh se bëhet fjalë për kallëzime konkrete dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që disponojnë prova t’i dorëzojnë ato në SPAK. Ai theksoi se asnjë person nuk është i paprekshëm nga hetimi.
-
Takimi në Aruba: Lidhur me kërkesën e deputetit Ivi Kaso për të bërë publik identitetin e politikanëve shqiptarë që dyshohet se kanë marrë pjesë në takimin në Aruba, kreu i SPAK u përgjigj se çështja është nën hetim. Braho siguroi se SPAK nuk lë prova “në gjumë” dhe se çdo provë e administruar trajtohet sipas procedurave ligjore.
-
Çështja e Belinda Ballukut: Në përgjigje të pyetjeve nëse vendimi i Kuvendit për të mos dhënë autorizimin për heqjen e imunitetit ka penguar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres, Braho deklaroi se prokuroria ka qenë e qartë në kërkesat e saj. Ai shtoi se nuk mund të komentojë vendimmarrjen e Kuvendit, por paralajmëroi se prokuroria do të ketë një qëndrim të mëtejshëm në një moment të përshtatshëm procedural.
/KohaNEWS


