VLEN: Ku përfunduan 9 milionë eurot e BE-së, ndërsa Zajazi i Ali Ahmetit mbeti pa kanalizim?
Skandal dhe turp.
Vetëm kështu mund të përshkruhet ajo që ka ndodhur me paratë e taksapaguesve evropianë në projektin e kanalizimit në Zajaz, vendlindjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Populli thotë se dielli nuk mbulohet me shoshë. Por dikush paska menduar se këtë skandal mund ta mbulojë përgjithmonë me disa letra e vula, për të cilat nuk dihet kush i ka firmosur.
Para dy javësh ngritëm pyetje serioze për këtë skandal. Folëm për mbi 9 milionë euro fonde evropiane të humbura, për kallëzimin penal të Policisë Financiare, për kontratat e lidhura me kompani vendore dhe për dyshimet se në këtë punë mund të jenë përfshirë edhe kompani të lidhura me oborrin familjar të Ali Ahmetit.
Kërkuam të hapet çdo kontratë, pagesë dhe të zbardhet çdo përgjegjësi që lidhet me këtë projekt. Tani pyetjet nuk po i bën vetëm VLEN-i, por edhe Bashkimi Evropian ka nisur të kërkojë përgjigje.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, bëri të ditur se BE-ja po mbledh dokumentacionin për këtë projekt. Prandaj nuk mjafton më vetëm pyetja se ku përfunduan milionat. Opinioni duhet të dijë edhe kush e raportoi projektin si të përfunduar, mbi cilat dokumente dhe mbi çfarë baze. Sa më shumë po hapet ky skandal që kundërmon korrupsion, aq më shumë po del në sipërfaqe se kemi të bëjmë me një lëmsh që, sa e tërheq, aq më shumë zgjatet.
Për 24 vite, BDI-ja e kishte pushtetin në dorë. Në Kërçovë e drejtoi komunën për tre mandate radhazi. Pikërisht gjatë qeverisjes së saj ky projekt, i financuar me para të Bashkimit Evropian, duhej të përfundonte në vitin 2024. Por kanalizimi nuk përfundoi. Tani po kuptohet edhe pse.
Ne kërkojmë që Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë hetimin deri në fund dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet evropiane.
Të nderuar,
Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së. Patriotë para kamerave, ndërsa pas perdeve projekte të dështuara, miliona të humbura dhe një lëmsh që tashmë ka filluar ta hapë edhe Bashkimi Evropian. Ashtu siç kemi thënë, u desh Ali Ahmeti të shkojë në opozitë që i gjithë llumi të dalë në sipërfaqe. Madje të dalë edhe arsyeja pse Zajazi, vendlindja e tij, mbeti pa kanalizim.


