Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik në Gostivar, Vullnet Olomani, njoftoi se ekipet shëndetësore janë të angazhuara maksimalisht në menaxhimin e situatës epidemiologjike, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dhe trajtuar mbi 300 pacientë.
“Të gjitha ekipet tona shëndetësore në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë në vijën e parë të përballjes me situatën epidemiologjike,” tha Olomani.
Ai bëri të ditur se numri i pacientëve përfshin kontrollet e realizuara në institucion, por edhe ndihmën mjekësore dhe këshillat e ofruara përmes telefonit.
“Brenda një dite, mjekët dhe personeli ynë kanë evidentuar dhe trajtuar mbi 300 pacientë, duke përfshirë kontrollet e drejtpërdrejta, si dhe ndihmën mjekësore dhe këshillat e dhëna përmes telefonit,” deklaroi ai.
Olomani theksoi se personeli shëndetësor po punon me përkushtim maksimal dhe u bëri apel qytetarëve të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente.
“U bëjmë thirrje qytetarëve t’i respektojnë në mënyrë të përpiktë rekomandimet e institucioneve kompetente dhe të paraqiten te ne vetëm në raste të nevojës urgjente, në mënyrë që përparësi t’u jepet rasteve më të rënda dhe më urgjente,” u shpreh drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik.
Në fund, ai theksoi se situata po monitorohet vazhdimisht dhe po menaxhohet në koordinim të plotë me institucionet përkatëse, duke garantuar se opinioni do të informohet në mënyrë transparente për çdo zhvillim të ri.


