Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban, zhvilluan takim pune me kryetaren e Gjykatës Themelore Penale Shkup, Daniela Dimovska, si dhe me gjyqtarët porod, ku u diskutuan kërkesat e tyre dhe sfidat me të cilat përballen gjatë ushtrimit të funksionit, me theks të veçantë në lartësinë e kompensimeve.
Në takim u theksua se gjyqtarët porod kanë një rol të rëndësishëm në sistemin gjyqësor, duke siguruar pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në ushtrimin e pushtetit gjyqësor dhe duke kontribuar në transparencën, drejtësinë dhe forcimin e besimit në gjyqësor.
Ministri i Drejtësisë u informua se në qershor të vitit 2026, Këshilli Gjyqësor kishte paraqitur kërkesë për ndryshimin e Rregullores për kompensimet e gjyqtarëve laikë të vitit 2018, me të cilën propozohet rritja e lartësisë së kompensimeve.
Gjatë bisedimeve u theksua se gjykatat përballen me mungesë të gjyqtarëve porod, gjë që paraqet një sfidë serioze për funksionimin e pandërprerë të trupave gjykues dhe trajtimin në kohë të lëndëve.
Ministria e Drejtësisë do t’i shqyrtojë propozimet e paraqitura dhe mbetet e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që do të mundësojnë funksionimin efikas të sistemit gjyqësor, duke vlerësuar në mënyrë të duhur rolin dhe kontributin e gjyqtarëve laikë në realizimin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.


