Aksion kundër abuzuesve: Ndriçimi publik vetëm për hapësirat publike, kryetari i Komunës së Tearcës jep ultimatum

TEARCË — Komuna e Tearcës ka ndërmarrë një aksion të rreptë kundër keqpërdorimit të pronës publike, duke vënë në shënjestër kyçjet e paligjshme në rrjetin e ndriçimit publik.

 

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, përmes një njoftimi drejtuar banorëve, ka theksuar se ndonëse puna e përditshme po jep rezultate pozitive dhe vlerësohet nga qytetarët, administrata komunale po ndeshet edhe me pengesa dhe abuzime me të mirat publike.

„Ndriçimi publik është i dedikuar për ndriçimin e hapësirave publike dhe në asnjë rast të pronave private,“ — shprehet kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.

Sipas kryetarit, ekipet e ndriçimit publik dhe inspektorati janë vazhdimisht në terren dhe tashmë është lëshuar thirrja e fundit për të gjithë qytetarët që të heqin dorë nga kyçjet ilegale. Administrata ka paralajmëruar se pas këtij apeli publik, çdo shkelës do të përballet me masa rigoroze në përputhje të plotë me ligjin.

Në fund të mesazhit të tij, kryetari Memishi ka bërë thirrje për ndërgjegjësim kolektiv, duke nënvizuar se një komunë e zhvilluar dhe e përbashkët mund të ndërtohet vetëm atëherë kur secili qytetar kontribuon në ruajtjen dhe respektimin e pasurisë publike.

/ kohanews

TË NDRYSHME

TË FUNDIT