Dubai ka nisur një nismë të jashtëzakonshme për të ringjallur sektorin e turizmit, i cili ka pësuar një rënie të ashpër që kur qyteti u përfshi në konfliktin rajonal mes ShBA-së e Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, përcjell KohaNEWS.
Programi i quajtur “Dubai Invite”, i lansuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit, u mundëson banorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe të nominojnë miq dhe të afërm për të vizituar qytetin. Nëse të nominuarit mbërrijnë, banorët që i kanë ftuar përfitojnë një paketë shpërblimesh me vlerë mbi 3.000 AED (afërsisht 720 euro), e cila përfshin akomodim në hotele, zbritje në restorante dhe bileta për atraksione të ndryshme.
Goditja e imazhit të “strehës së sigurt”
Sipas mediave, numri i mbërritjeve ndërkombëtare ka rënë në mënyrë drastike që nga shkurti, kur rajoni u godit nga sulme me raketa dhe dronë që vunë në shënjestër aeroportin ndërkombëtar dhe hotelin e njohur “Fairmont”. Kjo ka shkatërruar imazhin e Dubait si një oaz luksi dhe sigurie të izoluar nga paqëndrueshmëria rajonale, kontrast ky i fortë me vitin 2025, kur qyteti regjistroi një rekord prej 20 milionë turistësh.
Pasojat janë reflektuar te:
-
Përgjysmimi i fluturimeve: Shumë kompani ajrore kanë shkurtuar linjat ose i kanë devijuar fluturimet për shkak të rrezikut rajonal.
-
Hotele dhe biznese të boshatisura: Të ardhurat e kompanive turistike kanë rënë për më shumë se 50 për qind, ndërsa hotele ikonike si “Burj Al Arab” kanë mbyllur dyert përkohësisht për rikonstruksion 18-mujor.
-
Goditja në patundshmëri: Tregu i banesave ka shënuar rënien më të madhe vjetore që nga koha e pandemisë.
Kushtet e programit
Për të përfituar nga kjo nismë, çdo banor i EBA-së mund të marrë maksimumi tre paketa për mysafirët që mbërrijnë deri më 31 tetor, me mundësi shfrytëzimi deri në fund të dhjetorit. Kushtet parashikojnë që vizitorët të mos jenë rezidentë të EBA-së, të kenë vizë turistike dhe të jenë të nominuar vetëm një herë. Pavarësisht krizës, nisma ka shfaqur interes të lartë, duke tërhequr mbi 10.000 aplikime në 48 orët e para të lansimit.
/KohaNEWS
