BUENOS AIRES – Vetëm pesë ditë pasi u përfshi në incidente të dhunshme në përfundim të finales së Kampionatit Botëror kundër Spanjës, mesfushori argjentinas Leandro Paredes është rikthyer te futbolli i luajtur, duke u shndërruar në protagonist për skuadrën e tij, Boca Juniors, transmeton KohaNews.
Kujtojmë se finalja e madhe e Botërorit, e cila u fitua nga Spanja me rezultatin 1:0 pas vazhdimeve me gol të Ferran Torres, u la nga skena të shëmtuara dhe sulme fizike e verbale nga lojtarët argjentinas, ku në qendër të vëmendjes ishte pikërisht Paredes për shkak të përplasjeve të tij brutale me futbollistët spanjollë Eric Garcia dhe Gavi, veprime për të cilat ai ndodhet nën hetim nga FIFA.
Nga skandalet te kreativiteti në Copa Sudamericana
Pavarësisht ngarkesës psikofizike dhe stresit nga ngjarjet e fundit, Paredes është rikthyer në fushë si kapiten i Boca Juniors në ndeshjen e parë të 1/16 së finales në Copa Sudamericana kundër ekipit kilian O’Higgins. Boca fitoj takimin me rezultatin 1:0 falë golit të shënuar nga Miguel Merentiel, i cili u shërbye në mënyrë perfekte pikërisht nga Leandro Paredes.
Me këtë asistim, mesfushori 32-vjeçar dëshmoi se përveç lojës destruktive, zotëron edhe aftësi të larta krijuese. Gjatë karrierës së tij të pasur, Paredes ka regjistruar 84 paraqitje për kombëtaren e Argjentinës, me të cilën ka fituar një Kampionat Botëror dhe dy Copa America, ndërsa në nivel klubesh ka luajtur për skuadra të njohura evropiane si Roma, PSG dhe Juventus.
/ KOHANEWS
