KF Arsimi nga Cegrani e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme edicionin e ri konkurrues 2026/2027 në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë Veriore (1. MFL), duke pësuar një humbje të rëndë me rezultatin 5-1 në udhëtim ndaj Tikveshit.
Ndeshja e zhvilluar këtë pasdite në Kavadar ka vënë në pah gabimet e theksuara në fazën defensive të skuadrës nga Cegrani. Vendasit e nisën furishëm takimin, duke krijuar epërsi të sigurt përmes Toheeb Lawal, i cili realizoi në minutën e 19-të dhe 36-të, si dhe N’fanly Sylla, autor i tre golave (27′, 40′ dhe 58′). Për Arsimin, golin e vetëm dhe atë të nderit e shënoi Albin Ramadani në minutën e 33-të të ndeshjes, duke mbyllur takimin me shifrat 5-1 në favor të Tikveshit.
Pas këtij starti zhgënjyes, nuk ka vonuar reagimi i menjëhershëm i kryesisë së klubit, e cila përmes një njoftimi zyrtar ka dënuar paraqitjen e ekipit, duke e cilësuar atë si të papranueshme:
“Humbje e turpshme dhe e papranueshme në Kavadar. Gabimet individuale i kushtuan shumë klubit tonë, që u paraqit larg nivelit që dëshirojmë!
Nuk ka justifikime për paraqitjen e sotme. Na mbeten dy javë për të punuar shumë, për të analizuar gabimet dhe për t’u rikthyer më të fortë.
U kërkojmë falje tifozëve tanë dhe ju premtojmë se përgjigjen do ta japim në fushë.”
Kryesia e KF Arsimit kërkon kthesë të menjëhershme në dy javët e ardhshme për të përmirësuar gabimet e shfaqura dhe për t’u rikthyer te rezultatet pozitive në vazhdim të kampionatit.
/ KohaNEWS


