Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi sot një takim zyrtar me futbollistët, stafin teknik dhe drejtuesit e FC Strugës, të cilëve u uroi fillim të mbarë të sezonit të ri, shumë suksese sportive, shëndet të mirë dhe një ecuri pa lëndime.
Në fjalën e tij, kryetari Qyra shprehu besimin e plotë se edhe përgjatë këtij edicioni klubi do ta përfaqësojë me dinjitet qytetin e Strugës dhe futbollin mbarëkombëtar e vendor, duke u dëshiruar një luftë të pandalur për kreun e tabelës dhe triumfe të reja kampione.
I themeluar në vitin 2015, FC Struga brenda një periudhe të shkurtër u shndërrua në një nga simbolet e suksesit të futbollit në vend. Pasi u ngjit me sukses nga ligat komunale deri në elitën e Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut (1. MFL), klubi rrëmbeu titullin e parë kampion në vitin 2023, të cilin e mbrojti me sukses edhe në sezonin pasues, duke lënë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare dhe garat evropiane.
Në fund të takimit, nga Komuna e Strugës rikonfirmuan se institucioni do të vazhdojë të mbetet partner dhe mbështetës i fuqishëm i sportit, duke investuar në projekte dhe iniciativa që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit dhe ngritjen e gjeneratave të reja të sportistëve të suksesshëm.
/ KohaNEWS


