Siç transmeton KohaNEWS, Struga do të përfitojë mbi 5 milionë euro përmes dy thirrjeve të Qeverisë të mbështetura nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, fonde këto që janë destinuar për realizimin e katër projekteve kyçe infrastrukturore që do të ndikojnë direkt në zhvillimin e komunës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri, së bashku me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, kanë dalë sot në terren për të inspektuar nga afër punimet për realizimin e projektit të njohur si “Rruga e Ndryshimit”. Ky aks strategjik, me një gjatësi prej 600 metrash, do të lidhet me rrugën “Turistike”, duke u shndërruar në një lidhje moderne me bulevard me katër korsi, trotuare të dedikuara për këmbësorë dhe shtigje për biçikleta. Vlera e këtij projekti kap shifrën e 70.043.437 denarëve dhe financohet të tërësisht nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Autoritetet kanë theksuar se këto investime kapitale shënojnë një kthesë të rëndësishme në modernizimin e infrastrukturës urbane të Strugës, duke lehtësuar qarkullimin dhe duke ngritur standardet e lëvizshmërisë në qytet.
/ KohaNEWS


