Arsim Ajeti braktis BDI-në, i bashkohet VLEN-it

Vazhdojnë largimet në BDI. I fundit që ka braktisur radhët e kësaj partie është ish sekretari i FR- BDI dega Tetovë, Arsim Ajeti i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se tanimë i bashkohet radhëve të VLEN-it.

Ai thotë se largimi ishte i pashmangshëm, sepse siç shton, “nuk mund të heq dorë nga parimet, principet dhe vizioni politik”.

“Nuk është e lehtë të marrësh vendime që ndryshojnë rrugën tënde, por ndonjëherë ato janë të domosdoshme për të mbetur i drejtë ndaj vetes dhe njerëzve që të besuan. Një grup i vogël brenda partisë më largoi pa arsye, vetëm sepse nuk pajtoheshin me mënyrën time të të menduarit dhe vepruarit politik”, thotë Ajeti.

Ai shprehet se sot është pjesë e koalicionit VLEN, krah një personaliteti të urtë, guximtar dhe të respektuar si Izet Mexhiti.

“Qëllimi ynë është i qartë, t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri, përgjegjësi dhe vizion të ri politik. Keqkuptimet le të marrin fund këtu. E atyre që nuk besuan në forcën e të rinjve, zgjedhjet ua treguan të kundërtën”, thekson tutje Ajeti.

Postimin në Fejsbuk ai e mbyll me pretendimin se të rinjtë janë e ardhmja.

“Sa herë që përpiqeni të më ulni, aq më i fortë do të ngrihem. Të rinjtë janë e ardhmja dhe çdo hap drejt reflektimit dhe bashkëpunimit është një hap drejt ndryshimit të vërtetë. Le të ngrihemi së bashku, të ndërtojmë një politikë me parime, vizion dhe shërbim ndaj popullit”, ka thënë Ajeti.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com