Video virale dhe incident në shtëpi shkaktojnë mungesë në ekipin kombëtar të Kamerunit
Futbollisti kamerunas Moumi Ngamaleu, sulmues i Dinamos së Moskës, është bërë protagonist i një skandali që ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale.
Incidenti ndodhi pak ditë më parë, kur partnerja e tij, artistja ruse Nikki Seey, publikoi një video ku pretendonte se e kishte kapur futbollistin me një grua tjetër në shtëpinë e tyre. Sipas raportimeve, përplasja mes tyre ishte aq e ashpër sa kërkoi ndërhyrjen e policisë.
Videoja u bë shpejt virale, duke shkaktuar reagime të shumta në media dhe midis tifozëve, veçanërisht për faktin se Ngamaleu ishte regjistruar duke veshur pantallona të shkurtra të ekipit kombëtar të Kamerunit. Seey, 25 vjeç, raportohet se ka kërkuar ndihmën e dy rojeve të sigurisë dhe një miku për të hapur me forcë derën e dhomës ku ishte Ngamaleu.
Si pasojë e incidentit, sulmuesi humbi fluturimin për në kampin stërvitor të ekipit kombëtar të Kamerunit, i cili po përgatitet për gjysmëfinalen e playoff-ve kontinentale kundër Republikës Demokratike të Kongos këtë të enjte.
Ngamaleu ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike, por pritet të rikthehet te ekipi në orët e ardhshme, edhe pse rreziku i masave disiplinore mbetet real.

