Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thotë se do të përpiqet të përmirësojë njohuritë e saj në gjuhën shqipe pasi u kritikuar nga partneri koalicionar VLEN për mungesë të komunikimit në një mjedis shumëgjuhësh.
Pas këtij momenti, nga VLEN reaguan me kritika, duke theksuar se veprimi i ministres ishte në kundërshtim me frymën e respektit dhe të bashkëjetesës që duhet të promovojnë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore. Sipas tyre, nuk është normale që një ministër, posaçërisht ministre e Arsimit, të mos dijë as një fjalë të vetme në gjuhën e bashkëqytetarëve shqiptarë.
Përfaqësues të VLEN theksuan se edhe diplomatët e huaj që qëndrojnë në vend e mësojnë të paktën disa fjalë shqip, dhe se mungesa e njohjes së gjuhës mund të keqinterpretohet në një shoqëri multietnike.
Janevska tha se keqkuptimi lindte nga fakti që kryetari i Tetovës kishte planifikuar t’i përgjigjej pyetjeve të gjitha në një gjuhë dhe më pas të jepte përkthimin në gjuhën tjetër, gjë që ajo nuk e dinte. Ajo theksoi gjithashtu se pas atij momenti janë ndarë në mënyrë miqësore dhe nuk e di motivin e reagimit të VLEN-it.

