Qeveria do të emërojë ushtrues detyre në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të emërojë ushtrues detyre të kryetarëve të komunaveGostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë, sapo të marrë njoftim zyrtar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) për përfundimin e procesit zgjedhor.

“Absolutisht që këtë do ta bëjmë, sipas ligjit. Që ta bëjmë këtë, duhet fillimisht të marrim njoftim nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se në ato 4 komuna zgjedhjet janë të pasuksesshme, dhe më pas Qeveria do të emërojë,” – tha Mickoski.

Ai sqaroi se sipas Kodit Zgjedhor, nëse pas raundit të dytë zgjedhjet për kryetar komune nuk mbahen për çfarëdo arsye, KSHZ-ja duhet të njoftojë Qeverinë brenda 15 ditëve nga përfundimi i procesit zgjedhor.

Pas marrjes së këtij njoftimi, Qeveria ka afat 15 ditë për të emëruar një administrator, i cili do të kryejë detyrat në kompetencë të kryetarit të komunës.

Gjithashtu, Qeveria është e detyruar të njoftojë kryetarin e Kuvendit jo më vonë se 15 ditë pas emërimit të administratorit, në mënyrë që të shpallen zgjedhjet e reja për kryetar komune.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com