Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses së KE-së për Kosovën, Dora Bakoyani, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, pas së cilës Kosovës i ka mbetur vetëm një hap për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që është vota e punën e ministrave të jashtëm të Këshillit në maj të këtij viti.
– U dëgjua zëri i evropianëve! Faleminderit të gjithë deputetëve që votuan për anëtarësimin e Kosovës sot në Kuvendin Parlamentar. Shumë faleminderit delegacionit tonë dhe të gjithë atyre që në vazhdimësi e përkrahin popullin e Kosovës. Edhe një hap!, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në platformën “X”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në reagimin e tij për lajmin, po në “X”, ka thënë se kjo është një ditë e madhe për Kosovën.
– Ditë e madhe për Kosovën, vota për aplikimin tonë për hyrje në Këshillin e Evropës. Ky është një miratim bindës i të dhënave të vendit tonë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, që e sjell Republikën e Kosovës një hap më afër anëtarësimit të plotë, ka shkruar Kurti.
Ka reaguar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervala-Schwartz, pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin e Dora Bakoyanit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill.
– Evropianët folën me zë të lartë! Falënderoj të gjithë deputetët e Asamblesë Parlamentare për mbështetjen e fortë sonte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Për në momentin tjetër historik, shkroi Gervala-Schwartz.
Edhe opozita kosovare e ka mirëpritur lajmin e votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, falënderoi ata që votuan për shtyrjen e këtij procesi, veçanërisht deputetin rumun Julian Bulai, i cili, sipas tij, së bashku me deputetët e PDK-së kontribuan në çdo hap të këtij procesi.
“Tani me optimizëm, përkushtim dhe lobim presim votimin përfundimtar të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, i cili do të mbahet pas një muaji”, ka shkruar kreu i opozitës në Facebook.
Miratimi i këtij raporti të martën nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është përshëndetur nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Sipas Haradinajt, kjo mbështetje është një hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozitës së Republikës së Kosovës.
“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, hodhën themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky përkushtim, i rrënjosur në frymën e Kushtetutës dhe në frymën e qytetarëve, është vlerësuar nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, ka shkruar Haradinaj.