“Festat e Nëntorit” – Universiteti i Tetovës vazhdon traditën e nderimit të datave të rëndësishme kombëtare
Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit Filologjik, do të organizojë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe akademike në kuadër të aktiviteteve të muajit nëntor.
Më 20 nëntor 2025, Fakulteti Filozofik do të shënojë Ditën Botërore të Filozofisë, ngjarje që synon të thellojë debatin mbi mendimin filozofik dhe rolin e filozofisë në shoqërinë moderne.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Akademik Prof. Dr. Ferid Muhic dhe Prof. Dr. Metin Izeti, të cilët do të ndajnë mendimet e tyre mbi aktualitetin e filozofisë dhe ndikimin e saj në zhvillimin intelektual e kulturor të njeriut.
Paralelisht, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës do ta organizojë ekspozitën fotografike me temë “Tetova në kujtesën e kohës”, e cila do të jetë e hapur për publikun nga 20 deri më 28 nëntor 2025 në hapësirat e UT-së.
Ekspozita do të paraqesë pamje të hershme të qytetit të Tetovës, objekte kulturore e arsimore, shkolla shqipe dhe personalitete të njohura, si dhe mësues e figura të arsimit kombëtar. Synimi i saj është të risjellë në kujtesën kolektive trashëgiminë historike, arsimore dhe kulturore të Tetovës. UT vazhdon traditën e nderimit të datave të rëndësishme kombëtare me aktivitete kushtuar, 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Këto ngjarje kanë për qëllim t’i afirmojnë vlerat tona kombëtare, kulturore dhe arsimore, duke e ruajtur gjallë kujtesën historike të popullit shqiptar.
Përmes këtyre aktiviteteve, Universiteti i Tetovës dëshmon përkushtimin e tij në promovimin e vlerave shkencore – kulturore, duke ndërtuar ura lidhëse midis dijes, kujtesës historike dhe identitetit kombëtar.

