Sot bëhen 13 vite nga dita kur eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogu I, u rikthyen në atdheun e tij – në shtetin që ai e ndërtoi dhe e konsolidoi. Ky përvjetor kujton figurën e një prej burrave më të shquar të historisë sonë kombëtare, i cili la gjurmë të pashlyeshme në shtetformim, në orientimin perëndimor të vendit dhe në ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë.
Monarkia shqiptare mbetet një nga periudhat më të ndritura të historisë sonë moderne, ndërsa Zogu I është vlerësuar si figura më markante e këtij kapitulli. Ai jetësoi aspiratën e Skënderbeut, duke i dhënë Shqipërisë një shtet funksional, institucione moderne dhe një orientim të qartë drejt Perëndimit, larg ndikimeve otomane.
Ahmet Zogu ishte udhëheqësi që në momentet më kritike organizoi Kongresin e Lushnjës, luftoi ushtrinë serbe në Koplik dhe e dëboi nga veriu, mbështeti luftën e Vlorës dhe largimin e trupave italiane, duke e vendosur faktorin ndërkombëtar para realitetit të një Shqipërie të pavarur brenda kufijve të saj historikë.
Më 21 janar 1925 ai u shpall President i Republikës së parë Shqiptare, ndërsa më 1 shtator 1928 u kurorëzua Mbret i Shqiptarëve, i njohur ndërkombëtarisht nga të gjitha shtetet.
Në ceremoninë e rivarrimit, më 17 nëntor 2012, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha deklaroi se “sot të gjithë shqiptarët përulen para veprës dhe kontributit të Mbretit Zog I… Ahmet Zogu nderohet për ndërtimin e shtetit shqiptar, për vokacionin e tij perëndimor dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e kombit.”
Përvjetori i rikthimit të eshtrave të tij shërben si rikujtim i rolit historik të Mbretit Zog I – një figurë e cila mbetet e pazëvendësueshme në procesin e shtetndërtimit shqiptar.

