Periudha e aplikimit për Lotarinë e Kartës së Gjelbër (DV-2026) nis më 2 tetor, në ora 18:00, dhe përfundon më 5 nëntor 2024, po ashtu në ora 18:00, ka njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj periudhe, të gjithë personat që i plotësojnë kriteret mund të aplikojnë për vizë emigrimi drejt SHBA-së.
Ambasada thekson se aplikimi është plotësisht falas, ndërsa qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve. Sipas njoftimit, duhet pasur kujdes nga individë apo agjenci që pretendojnë se rrisin shanset e përzgjedhjes në këmbim të pagesës, si dhe nga ata që ofrojnë “ndihmë falas” për plotësimin e aplikacionit.
Autoritetet amerikane rekomandojnë që kandidatët ta plotësojnë vetë aplikimin dhe të ruajnë numrin unik të konfirmimit, i cili është i domosdoshëm për të kontrolluar rezultatet në maj 2025.
Aplikimi zyrtar bëhet vetëm përmes faqes: dvprogram.state.gov, ndërsa udhëzimet e detajuara mund të lexohen në travel.state.gov/dv.

