Mbështetja për Donald Trump bie në 38% pas çështjes Epstein dhe krizës së kostos së jetesës

Mbështetja për presidentin amerikan Donald Trump ka rënë në 38 për qind, niveli më i ulët që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar. Një sondazh i Ipsos për Reuters tregon se pakënaqësia më e madhe e amerikanëve lidhet me mënyrën si po trajton krizën e kostos së lartë të jetesës dhe çështjen e Jeffrey Epstein.

Sipas medias së njohur, ndikimi i Trumpit brenda Partisë Republikane po tregon shenja dobësimi. Të dyja dhomat e Kongresit kanë urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të publikojë dosjet mbi Epstein, të dënuar për krime seksuale. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën me shumicë dërrmuese (427-1), ndërsa Senati e përshpejtoi atë unanimisht.

Lëvizjet pasuan pasi Trump ndryshoi qëndrimin dhe kërkoi nga Kongresi të zbulojë të dhënat pas kundërshtimeve publike. Javën e kaluar, lidhjet e tij me Epstein u rikthyen në titujt kryesorë të lajmeve me publikimin e mbi 20,000 faqeve dokumente, disa prej të cilave përmendnin presidentin.

Sondazhi online tregon se mbështetja për Trumpin ka rënë me dy për qind krahasuar me sondazhin e fillimit të nëntorit, duke e çuar popullaritetin e tij pranë nivelit më të ulët gjatë mandatit të parë dhe afër vlerësimit më të dobët të paraardhësit të tij, Joe Biden, që ishte 35 për qind.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT