Komuna e Çairit ka ndërmarrë sot një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve në shkollat fillore të komunës. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, realizoi një vizitë pune në Shkollën Fillore “Liria”, ku u prit nga drejtoresha e shkollës, znj. Teuta Idrizi. Vizita u zhvillua me rastin e dorëzimit të inventarit të ri, i cili tashmë ka mbërritur në shkollë.
Shkolla “Liria” është pajisur me 200 banka moderne dhe 400 karrige ergonomike, të cilat përshtaten sipas moshës dhe gjatësisë së nxënësve, duke krijuar kushte më komode dhe një ambient më funksional për zhvillimin e procesit mësimor. I njëjti donacion është realizuar edhe në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina”, ndërsa në të dyja shkollat do të rregullohen gjithsej nga gjashtë kabinete mësimore me inventar të ri.
Këto mjete janë dhuruar nga kompania “Eftinija Impex”, të cilën Komuna e Çairit e falënderon për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj arsimit dhe komunitetit.
Donacioni realizohet në kuadër të aktiviteteve të muajit të festave të nëntorit, përfshirë edhe Ditën e Alfabetit.
Ky është vetëm fillimi.
Komuna e Çairit synon që brenda një viti të gjitha shkollat fillore të pajisen me banka dhe karrige të reja të këtij standardi, duke rritur ndjeshëm cilësinë e mjedisit shkollor dhe standardet e mësimdhënies.

