Burime nga KohaNews bëjnë të ditur se brenda koalicionit VLEN është arritur një marrëveshje e re për rishpërndarjen e disa pozicioneve në Qeveri. Kjo marrëveshje pritet të marrë miratimin përfundimtar nga organet partiake në ditët e ardhshme.
Sipas informacioneve, Muhamet Hoxha pritet ta marrë drejtimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, duke zëvendësuar Izet Mexhitin, i cili tashmë po e ushtron funksionin e kryetarit të Komunës së Çairit. Hoxha njihet për përvojën e tij në institucionet qeveritare dhe për angazhimin si zëdhënës i Qeverisë në të kaluarën.
Në kuadër të riorganizimit, Bekim Sali do të avancojë në postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, por edhe në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, duke marrë vendin e Arben Fetait. Ndërkohë, Fetai pritet të udhëheqë Ministrinë për Integrime Evropiane, një fushë me të cilën është i lidhur prej vitesh, falë eksperiencës së tij në institucionet e BE-së në Bruksel.
Ndryshime parashihen edhe për Orhan Murtezanin, i cili mund të transferohet në dikasterin e Mbrojtjes si zëvendësministër ose të marrë drejtimin e Postës së Maqedonisë apo një institucioni tjetër të rëndësishëm.
Marrëveshja pritet t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut shumë shpejt, që më pas procedurat të kalojnë në Kuvend. Ndërkohë, pas muajit janar, burime brenda koalicionit nuk përjashtojnë riformatime edhe më të gjera në qeverisje.

