SPAK pezullon Belinda Ballukun nga detyra dhe ekzekuton masa sigurie për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar sot një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet për dy procedura të rëndësishme prokurimi: ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Si rezultat i hetimeve, Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurie ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe disa zyrtarëve të tjerë të institucioneve të infrastrukturës dhe rrugëve.

SPAK njofton se për Belinda Ballukun janë ekzekutuar masat “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike”, duke e shkarkuar nga funksionet e larta shtetërore që mbante. Ndërkohë, për ish-drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se në procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, Balluku dhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave – mes tyre Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica – kanë paracaktuar fituesin e tenderit, duke krijuar avantazhe të padrejta për një bashkim operatorësh ekonomikë.

Hetime të ngjashme janë kryer edhe për Lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, ku SPAK thotë se Balluku, në bashkëpunim me zyrtarë të ARRSH-së dhe anëtarë të komisioneve të prokurimit, ka ndikuar në mënyrë të paligjshme në favor të disa kompanive të përfshira në procedurë.

Shkeljet e evidentuara lidhen me ligjin për prokurimin publik, rregullat e prokurimit të miratuara me VKM, si dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave. Përveç pezullimit të Ballukut dhe masave të tjera të sigurimit, SPAK njofton se hetimet po vazhdojnë, duke përdorur metoda speciale, analiza digjitale dhe veprime të tjera hetimore.

SPAK thekson se procedimi penal nr.136/2025 mbetet i hapur dhe se priten zhvillime të tjera në vijim të hetimit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT